Arbëri

Gjilani përcakton hapësirat për vendosjen e përmendoreve

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) në Gjilan, në mbledhjen e sotshme, të udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar raportin financiar janar-mars 2017, propozimet e komisionit për emërtimet e rrugëve dhe adresave në territorin e Komunës së Gjilanit, lokacionet dhe hapësirat publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, raportin financiar të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2017” si dhe projektin për funksionimin e Teatrit të Qytetit për vitin 2017, në shumë prej 83.220 euro.

Pika e vetme ku Komiteti ka zhvilluar debat, ka qenë ajo e emërtimeve të rrugëve, meqë, siç është thënë, ka disa raste ku as komisioni përkatës nuk ka arritur konsensus, transmeton Koha.net.

Sherifi nga Drejtoria për Urbanizim, në emër të komisionit për caktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, ka thënë se është bërë identifikimi i hapësirave më të përshtatshme, ku do të vendosen shtatoret, bustet dhe pllakat përkujtimore për Reshat Ymerin, Xhavit Ahmetin, Halim Oranën, Idriz Seferin, Esat Berishën, Ramiz Cërnicën, Mulla Idrizin dhe Rexhep Malën e Nuhi Berishën.

KPF ka miratuar edhe raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, manifestim ky që përmes vlerave artistike nderon martirët, dëshmorët dhe heronjtë shqiptarë, të rënë përgjatë rrugëtimit për liri dhe mëvetësi kombëtare.

Sipas llogaritjes përfundimtare, “Flaka e Janarit 2017” ka kushtuar 33.945 euro, që konsiderohet shumë minimale për një manifestim kaq të madh mbarëkombëtar, i cili fillon më 11 janar dhe përfundon më 31 janar.