Arbëri

Largohen reklamat e kundërligjshme në zonën historike të Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka filluar të ndërmarrë masa ndaj reklamave të vendosura në kundërshtim me legjislacionin në zonën e Qendrës Historike të Prizrenit.

Aksioni i nisur gjatë kësaj jave, në bashkëpunim me Njësitin e Zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, sipas njoftimit të organeve komunale, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa të largohen reklamat, që janë vendosur në shpërputhje me ligjin, shkruan sot Koha Ditore.

“Drejtoria e Inspektorateve ka filluar të ekzekutojë Vendimin Komunal për Rregullimin e Qytetit dhe të Shërbimeve Komunale, si dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i larguar reklamat të cilat janë të vendosura mbi kulm brenda Qendrës Historike të Prizrenit... Pas largimit të reklamave mbi kulm, Drejtoria e Inspektorateve do të bëjë vlerësimin edhe të reklamave të vendosura në ballinë të objekteve, të cilat nuk janë të pajisura me leje përkatëse”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Ditë më parë Komuna kishte njoftuar se shumica e reklamave të vendosura në Qendrën Historike të Prizren janë në shpërputhje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Vendimin mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit. Marrë parasysh këtë fakt, Drejtoria e Inspektorateve dhjetë ditë më parë i kishte paralajmëruar të gjithë pronarët e objekteve që bien ndesh me këtë ligj apo vendim, në mënyrë që ata t'i heqin këto reklama me vetiniciativë.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)