Komuna e Podujevës dhe Koordinatori nacional për kulturë nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi Foto: Komuna e Podujevës

Komuna e Podujevës dhe Koordinatori nacional për kulturë nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi

21 November 2018 15:49

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka pritur në takim Rexhep Hotin - Koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Azem Gurin- zëvendësministër në MASHT, me ç’rast është nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi për avancimin e pozitës së të rinjve në fushat e sportit, kreativitetit kulturor dhe garave në dituri.

Me qëllim të ofrimit të kushteve për rininë e vendit, Veliu dhe Hoti nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi në mes të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komunës së Podujevës për avancimin e pozitës së të rinjve në fushat e sportit, kreativitetit kulturor dhe garave në dituri.

Marrëveshja e nënshkruar përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve në realizimin e projekteve konkrete në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës.

Veliu dhe Hoti thanë se kjo marrëveshje bashkëpunimi synon përforcimin e kapaciteteve intelektuale, kulturore e sportive të rinisë kosovare, si dhe promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të interesit të përbashkët të të dyja palëve.

Palët nënshkruese të marrëveshjes do të inkurajojnë dhe promovojnë bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e ndërsjellë për projektet rreth rinisë, kulturës dhe sportit, aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim grumbullimin e donacioneve ndërkombëtare për projektet që promovojnë kulturën dhe sportin; angazhimin e përbashkët rreth ecurisë dhe mbajtjes së garave sportive, të diturisë dhe kreativitetit kulturor si në nivelin shkollor, komunal dhe atë qendror si dhe ndërhyrjen në infrastrukturën sportive duke ofruar bashkëpunim në zhvillimin e garave.

Në përputhje me kushtet e kësaj marrëveshjeje palët obligohen që të bashkëpunojnë dhe asistojnë njëra tjetrën për implementimin e projekteve të përbashkëta të parapara në këtë marrëveshje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme