Arbëri

Në Mitrovicë, inspektorët hasin në produkte me mbishkrimin “Kosovo i Metohija”

Descriptive Text

Duke marr parasysh faktin se ditë më parë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që t’i ndalojë të gjitha produktet në treg që nuk i referohen Kosovës si shtet, inspektorët komunalë të komunës së Mitrovicës kanë dalë të martën në terren për t’i parë nga afër se a janë larguar të gjitha produktet që mbajnë këtë përmbajtje a jo.

Në fjalën e tij, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Hysni Ahmeti, theksoi se kanë hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezoluta 1244”.

“Ne sot kemi dalë në terren për të parë nga afër se a janë larguar produktet të cilat kanë këtë mbishkrimi. Kështu kemi vepruar sipas Urdhëresës së lëshuar nga Ministri Shala, i cili ka urdhëruar që inspektorët të kërkojnë nga operatorët ekonomikë që menjëherë t’i largojnë nga tregu produktet me etiketim ‘Kosovë/o dhe Metohi’, ‘Kosovë/o UNMIK’ apo ‘Kosovo/a Rezoluta 1244’, apo çdo emërtim tjetër i cili është në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës”, tha Ahmeti.

Po ashtu, ai bëri të ditur se duhet të zbatohet neni 15 i Ligjit Nr.06/L-034 për mbrojtjen e Konsumatorit, i cili obligon inspektorët që të ndalojnë dhe të sanksionojnë shitjen, shërbimin dhe dhurimin e duhanit dhe pijeve alkoolike personave nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.

Drejtori njoftoi se inspektorët komunalë kanë konstatuar se disa markete që punojnë në Komunën e Mitrovicës tashmë i kanë larguar produktet e këtilla nga hapësirat e tyre.