Keqmenaxhimi i deponive të mbeturinave kthehet në rrezik për banorët

19 nëntor 2018 22:39

Për institucionet, e rëndësishme është që mos t’i lëshojnë nga duart milionat nga BE -ja për ndërtimin e deponive.

Por, gjatë këtij procesi fare nuk i marrin për bazë mendimet e ankesat e banorëve ku ndërtohen ato dhe sa u rrezikohet shëndeti atyre, raporton KTV.

Kjo gjë ka ndodhur me deponinë e Gjilanit e financuar nga fondet e Bashkimit Evropian qysh në vitin 2005, por që është kthyer në problem shumë serioz për banorët.

Kjo për shkak se shumë pak metra e ndajnë atë me shtëpitë.

Banorët dhe bizneset, për t’i ikur pagesës, i hedhin mbeturinat përreth kësaj deponie, e cila është ndërtuar krejt afër pishave të shumta e që më herët ky vend kishte pamje krejt tjetër.

Kur u ndërtuan këto deponi të mbeturinave, ato i plotësonin standardet evropiane derisa, si pasojë e keqmenaxhimit pastaj nga vendorët, ato nuk përmbushin pothuajse asnjë standard.

Në kompaninë e cila menaxhon katër të tilla nuk janë aspak të kënaqur me gjendjen në të cilën ndodhen ato.

Sipas drejtuesve, faktori kryesor i cili ka ndikuar në këtë gjendje jo të mirë ka qenë tarifat e ulët që duhet ta paguajnë kompanitë regjionale.

Abdullah Haxhiu, Kryeshef i kompanive për menaxhimin e deponive, thotë se banorët kanë të drejtë kur ankohen, megjithatë, siç thotë, është më mirë të ketë deponi të materialeve të rrezikshme sesa të njëjtat të hidhen gjithandej.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndërtimin e një deponie të materialeve të rrezikshme në Fushë Kosovë, pasi që Bashkimi Evropian ka ndarë 12 milionë euro për të.

Kundër ndërtimit të saj janë banorët që jetojnë afër vendit ku është planifikuar deponia.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme