Arbëri

Fushë-Kosova kërkon pronësinë ndaj pronave shoqërore

Fushe Kosova - Ilustrim

Këshilltarët komunalë të Fushë-Kosovës e kanë miratuar kërkesën e kryetarit, Burim Berisha, që dy prona shoqërore t’i kalojnë komunës. Megjithatë, ky është vetëm hapi i parë, pasi të njëjtën kërkesë duhet adresuar Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit për miratim.

Pronat u mbesin ndërmarrjeve shoqërore deri në privatizim. Sidoqoftë ky nuk është problemi i vetëm. Këshilltarët komunalë para se të votonin këtë propozim të kryetarit Berisha, i kanë pasur dy kërkesa ndaj drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Jakup Tërnava, i cili e ka paraqitur këtë kërkesë në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njëra ka qenë për sipërfaqen e pronave e tjetra për mospërfshirjen edhe të pronave tjera shoqërore që gjenden në stadiumin e qytetit të Fushë-Kosovës, ku janë edhe dy pronat e kërkuara.

Drejtori për Gjedezi, Kadastër dhe Pronë, Jakup Tërnava, ka thënë se është kërkesë e tyre që dy prona shoqërore të kalojnë në pronë komunale dhe të njëjtën kërkesë do t’ia adresojnë Agjencisë Kosovare të Privatizimit që këto prona t’i kalojnë Komunës. Këto dy prona ka thënë se janë në kuadër të stadiumit të qytetit./Nexhat Tovërlani

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)