Banorët e disa fshatrave të Podujevës në hall me rrymën e dobët, marrin premtime
Tensioni i dobët i energjisë elektrike në shumë fshatra të Komunës së Podujevës tashmë është bërë problem i zakonshëm.
Përveç premtimeve për një zgjidhje, banorët thonë se nuk kanë diçka konkrete.
Më se keqi me tension të dobët të rrymës qëndrojnë fshatrat Dyz, Halabak e Ternavë, ku shumë shpesh u janë djegur edhe pajisjet shtëpiake.
Banorët thonë se të gjitha pajisjet duhet të kenë një stabilizator në mënyrë që të funksionojnë.
Rryma e dobët po u shkakton probleme edhe bizneseve të kësaj ane.
Që nga fillimi i punës në fabrikën e tij, Salih Tullari nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për t’u furnizuar si duhet me energji elektrike.
Tullari, i cili ka një fermë të pulave që nga viti 2014, thotë se po i kushton shumë shtrenjtë që energjinë ta sigurojë me gjenerator.
Ka provuar edhe me energji alternative, por rezultati thotë që është shumë i vogël.
Përveç kësaj, Tullari shton se bizneset paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë sesa amvisëritë.
Mirëpo, KEDS-i thotë se rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është në gjendje të rëndë dhe se do të investojnë edhe në këtë pjesë, por që këtë nuk mund ta bëjnë në të gjitha lokacionet përnjëherë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.