Kush janë vizitorët e “huaj” të Vllahisë në veri, që flasin serbisht

Kush janë vizitorët e “huaj” të Vllahisë në veri, që flasin serbisht

15 nëntor 2018 15:19

Përfaqësuesit e Këshillit të fshatit Vllahi, Ramadan Ademi, Beqir Uka dhe Ilir Begu, vizituan nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, të cilit shprehën shqetësimin e banorëve të këtij lokaliteti me deklarimet e fundit të disa politikanëve, por edhe sipas hartës “Marrëveshja Finale me Serbinë”, fshati Vllahi do të mbetej nën administrimin e komunave veriore, respektivisht të Serbisë.

Ata edhe një herë konfirmuan se Vllahia gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Komunës së Mitrovicës.

Përfaqësuesit e fshatit informuan nënkryetarin Mujka se si ditët e fundit po ka vizita nga persona të panjohur, të cilët po prezantohen si shtetas të huaj, por që po flasin gjuhën serbe. Dyshimi kryesor qëndron në interesimin e Serbisë për nëntokën e Vllahisë dhe të Zijaçës, në të cilat deri tani janë bërë 37 shpime hulumtuese dhe kanë rezultuar me rezerva të mëdha të mineraleve të çmueshme në tregun botërorë.

Po ashtu u përmend edhe fakti që para dy-tre muajsh në fshatin Vllahi janë gjetur disa shenja të panjohura për të cilat pastaj Agjensioni Kadastral konfirmoi se janë bërë nga ta. Kjo edhe më shumë i bën dyshues banorët e Vllahisë për një skenar të padëshirueshëm për fshatin e tyre.

U paralajmërua që në nëntor nga ora 13:00 në shkollën fillore “Jashar Begu” të mbahet një takim i përbashkët i kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetarit Faruk Mujka me banorët e Vllahisë në mënyrë që të shkëmbejnë informatat dhe të dakordësohen së bashku për hapat e ardhshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme