Arbëri

Kryeprokurori i Ferizajt arsyeton mosarrestimin e 19-vjeçarit për ngacmim seksual, thotë se janë frikësuar që rasti është inskenim

Prokuroria Themelore në Ferizaj, të mërkurën, është përpjekur ta arsyetojë mosarrestimin e të riut I.S. mbi dyshimet për ngacmim seksual ndaj së miturës deri pasi rasti ka dalë në media.

Një nga arsyet kryesore se pse një gjë e tillë nuk është bërë ditën kur ka ndodhur rasti, sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, është pasi, sipas tij, atë ditë nuk kanë pasur prova të mjaftueshme që do ta mbështesnin dyshimin se i dyshuari I.S e ka ngacmuar dhe ka tentuar të keqpërdorë seksualisht 11-vjeçaren, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një bisedë me nervozizëm, Jashari ka mohuar që mediat përmes raportimit të kenë pasur ndikim në arrestimin e I.S.

“Nuk ka mujt me u arrestu pa i mbledhë ende faktet. Atë ditë prokurori nuk ka pasur mjaftueshëm fakte. Kur i ka mbledhur faktet është arrestuar”, ka thënë ai.

Ai ka refuzuar të tregojë emrin e prokurorit kujdestar dhe është nervozuar kur është pyetur nëse duhet të merren masa ndaj tij. “Për çka masa? Nuk ka pasur parregullsi në rast”, ka thënë ai./Saranda Ramaj

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “Koha Ditore”)