Arbëri

Mbi 100 thasë mbeturina largohen nga Kamenica e dhjetëra kamionë me mbetje inerte

Në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot u zhvillua aksion pastrimi në Komunën e Kamenicës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në aksionin e sotëm morën pjesë rreth 100 vullnetarë, të cilët larguan mbi 100 thasë me mbeturina në disa zona në fshatin Shipashnicë e Poshtme.

Në kuadër të aksionit të sotëm, filloi edhe largimi i një deponie të madhe me mbetje inerte. Vetëm sot u larguan dhjetëra kamionë me mbetje aty, ndërsa punimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, transmeton Koha.net.

Të pranishëm në aksionin e sotëm përveç ekipit të Let’s Do It, ishin edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, nënkryetari i komunës dhe njëkohësisht edhe koordinatori i Task Forcës, Faton Jakupi, anëtarët e tjerë e vullnetarë të shumtë.

Matoshi ka thënë se fushata për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.

“Kamenica është një nga komunat që nga 15 shtatori nuk e ka ndalur aktivitetin e pastrimit të vendit. Vetë angazhimi i sotëm në këtë hapësirë tregon se rrugët, brezat rrugore, sheshet dhe vendet tjera janë të pastruara dhe kjo mund të shihet edhe në periudhën para 15 shtatorit dhe tani. Tashmë komuna paska hyrë në një fazë të re, të largimit të deponive sikur kjo, që për vite të tëra është përdorur për të hedhur mbeturinat. U njoftuam se banorët po furnizohen me kontejnerë dhe kjo deponi nuk do jetë e nevojshme për ta”, ka thënë ai.

Ndërsa, Besnik Shabiu nga Let’s Do It ka thënë se Komuna e Kamenicës është shembull për të gjitha komunat, falë vullnetit që ka treguar për largimin e mbeturinave që nga fillimi i Fushatës më 15 shtator.

“Është shembull që duhet të ndiqeni nga të gjitha komunat. I jemi afruar numrit prej afër 500 deponive ilegale të mbeturinave të larguara. E mira është se fushata gjithandej Kosovës është duke vazhduar me intensitet të lartë. Ky lloj bashkëpunimi është mesazhi më i mirë se Kosova do të pastrohet. Kur të përfundojë ky aksion më 15 dhjetor nuk do të flitet më për deponi ilegale të mbeturinave por do vazhdojmë që këto hapësira të vazhdojmë t’i mirëmbajmë të gjithë së bashku”, ka thënë Shabiu.

E, nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, ka thënë se aktualisht zona 10 e Kamenicës po pastrohet.

“Kamenica është e specifikume në 17 zona në territorin e vet dhe tash jemi në zonën e 10-të. Ne jemi ndër komunat që aktivisht dhe pa ndërprerë jemi duke e përkrahë thirrjen për pastrimin e deponive. Heqja e mbeturinave është promovim i vlerave dhe kulturës”, ka thënë ai.

Nga fillimi i Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” më 15 shtator, e deri më tani, në Kamenicë janë pastruar 10 zona me deponi ilegale, ndërsa në ditët në vazhdim do pastrohen edhe 7 zona me deponi dhe lokacione me mbeturina.

Let’s Do It njofton se në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojnë aktivitetet çdo ditë, deri më 15 dhjetor.