Arbëri

I ndalin nxënësit nga shkolla pasi kërkojnë punësimin e djalit të mirëmbajtësit të vdekur të shkollës

Para 3 muajsh vdiq mirëmbajtësi i kësaj shkolle, i cili këtu kishte punuar 27 vjet me radhë.

Banorët e fshatit kërkojnë që atë vend pune duhet ta trashëgojë i biri i tij, pasi kushtet ekonomike i ka mjaft të vështira dhe nuk ka të ardhura tjera.

Kërkojnë që të respektohet veprimtaria e ish-mirëmbajtësit të shkollës, i cili kishte vdekur derisa po shkonte në punë.

Edhe drejtori i shkollës “Ilmi Bahtiari” i mbështet prindërit dhe thotë se mirë është nëse djali i ish-mirëmbajtësit e merr këtë detyrë.

KTV-ja ka kërkuar një mendim edhe nga mirëmbajtësi i ardhshëm i shkollës, Nderim Ejupi. Ai nuk ka pranuar të flasë zyrtarisht para kamerës por thotë se nesër do të shkojë në punë.

KTV-ja është munduar të bjerë në kontakt edhe me kryetarin e komunës së Dragashit, i cili sipas banorëve, të punësuarin në pozitën e mirëmbajtësit të shkollës e ka mik të familjes, por ai nuk është përgjigjur.

Ndërsa para kamerës nuk ka dashur të flasë as drejtori i Arsimit i kësaj komune, Tafil Krasniqi. Nëpërmjet telefonit, ka thënë se kështu ka vendosur komisioni komunal dhe se kjo është çështje e kryer.