Arbëri

Ndahen pajisje për 100 bletarë në Podujevë

Komuna e Podujevës ka ndarë pajisje për 100 bletarë llapjanë, në kuadër të implementimit të programit për mbështetje të sektorit të bujqësisë.

Me këtë rast, kryetari i Podujevës, Agim Veliu, premtoi rritjen e mbështetjes për këtë sektor, që, sipas tij, po zhvillohet me sukses.

“Sot po shpërndajmë pajisje për bletarët llapjanë. Ky është projekti i dytë që po subvencionojmë sivjet në fushën e bletarisë, sepse muaj më parë kemi shpërnda shoqëri bletësh. Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur këtë sektor, duke vlerësuar suksesin dhe angazhimin e bletarëve llapjanë”, ka thënë Veliu.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi tha se ky është projekti i katërt i subvencionimeve që po realizohet nga kjo drejtori. Ndërsa aktiviteti i radhës do të jetë shpërndarja e sistemit të ujitjes për përfituesit e dredhëzës industriale dhe bimëve aromatike, projekt ky që po realizohet në bashkëpunim me USAID-in.