Arbëri

Shumë komuna gypat e ujësjellësit i kanë prej asbestit kancerogjen, Avokati kërkon të hiqen

Sasia e mbetjeve të asbestit në vendin tonë vazhdon të jetë tejet e madhe.

Shqetësues, edhe më tej, është fakti se materialet prej asbestit janë ende në funksion, raporton KTV.

Në shumë komuna të vendit gypat të cilët furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm janë me përbërje të këtij materiali, material i cili është konstatuar si kancerogjen.

Por, Komuna e Ferizajit ka filluar që, në një pjesë të qytetit, ta bëjë zëvendësimin e këtyre gypave.

Nga kjo Komunë thonë se, brenda një periudhe shumë të shkurtër, do ta bëjnë eliminimin e këtij materiali, pasi janë të vetëdijshëm për dëmet shëndetësore që sjell ai.

Në lidhje me mbeturinat prej materiali të tillë ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili ka publikuar një raport me rekomandime lidhur me mosndërmarrjen e veprimeve nga institucionet përgjegjëse.

Avokati i Popullit në raport ka konstatuar se mosndërmarrja e asnjë aktiviteti sensibilizues për vetëdijësimin dhe informimin e publikut për rrezikun që kanë materialet me përmbajtje asbesti, tregon dështimin dhe neglizhencën e autoriteteve kompetente për mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës së njeriut. Njëherësh, kjo, sipas tij, tregon kufizim të së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm dhe të së drejtës për jetën.

Gypat e azbestit janë përdorur në ujësjellës gjatë viteve 1930-1950.

Edhe Instituti i Shëndetit Publik kishte konstatuar se fibrat e amiantit janë kancerogjenë dhe janë lehtësisht të transmetueshme në organizëm.

Fibrat e azbestit mund të “flenë” në trupin e njeriut për 30-40 vjet dhe pas një periudhe kaq të gjatë, ato mund të aktivizohen dhe të shkaktojnë sëmundje shumë të rënda.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me këtë çështje, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.