Në Mitrovicë policia gjobiti më shumë se 40 këmbësorë për dy javë

Në Mitrovicë policia gjobiti më shumë se 40 këmbësorë për dy javë

06 nëntor 2018 11:36

Policia në Mitrovicë ka njoftuar se për dy javë ka shqiptuar më shumë se 40 gjoba ndaj këmbësorëve që nuk respektojnë shenjat e trafikut rrugor.

Ky veprim, sipas Policisë, ka ardhur me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve.

“Bazuar në vlerësimet e bëra Policia dy javë më parë ka filluar me masa dhe aktivitete të shtuara në fushën e parandalimit dhe ndërgjegjësimit të këmbësorëve që kalimin e rrugës ta bëjnë në përputhje me shenjat e trafikut rrugor, përfshirë shfrytëzimin e nënkalimeve. Angazhimet e shtuara policore janë përqendruar në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë segmenti rrugor përgjatë fshatrave Lumë i Madh, Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, zonë kjo e identifikuar me rrezikshmëri për këmbësorët që nuk shfrytëzojnë nënkalimet, ku si pasojë ka pasur edhe aksidente me fatalitet”, thuhet në njoftim të Policisë. “Në mbështetje dhe zbatim të masave të shtuar përveç Njësisë së Trafikut Rajonal, me plan veprimi konkret është duke kontribuar edhe Stacioni Policor Vushtrri, ku për çështjen e sigurisë së këmbësorëve dhe shfrytëzimin e nënkalimeve ka mbajtur tri takime me banorët e tri fshatrave të sipërpërmendura, ndërsa në kuadër të veprimeve konkrete ka shtuar prezencën policore në kuadër të sektorit përkatës që mbulon këto fshatra”.

Për dy javë në këto zona, Policia ka shqiptuar më shumë se 40 gjoba për këmbësorët që kanë kaluar rrugën në zona ku nuk lejohet.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti tek këmbësorët që të shtojnë kujdesin gjatë kalimit te rrugës, të respektojnë dhe t’iu përmbahen dispozitave ligjore e në veçanti në zonat ku janë vendkalimet për këmbësor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme