Arbëri

Njësia e Zjarrfikësve në Mitrovicë përfiton pajisje nga një donator gjerman

Descriptive Text

Sot në njësinë e Zjarrfikësve në komunën e Mitrovicës është bërë pranim-dorëzimi i mjeteve të dhuruara nga donatori gjerman, zjarrfikësi Rudolf Esser, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Donatori gjerman ka sjellë veshëmbathje dhe pajisje të tjera të nevojshme për zjarrfikësit në Komunën e Mitrovicës sepse në këtë mënyrë do të rritet efikasiteti në punë.

Me këtë rast i pranishëm ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, i cili e vlerësoi lartë gjestin human të zjarrfikësit gjerman duke thënë se këto mjete do të jenë ndihmesë e madhe për zjarrfikësit e Mitrovicës, pasi që janë shumë të nevojshme gjatë intervenimeve të tyre, transmeton Koha.net.

“Më lejoni të ju falënderoj për të gjitha këto pajisje të destinuara për njësinë e zjarrfikësve në Mitrovicë. Kjo ndihmë e juaja edhe njëherë tregon për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman i ka dhënë Kosovës, gjithmonë aty ku ka pasur nevojë, besoj që të gjitha këto mjete do të lehtësojnë punën e zjarrfikësve tanë të cilët janë gjithmonë në shërbim të të qytetarëve dhe në gjendje gatishmërie për evitim të rreziqeve”, tha Bahtiri.

Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka theksuar se kjo mbështetje e donatorit gjerman ndaj Njësisë së Zjarrfikësve është rezultat i bashkëpunimit tejet të mirë mes Kosovës dhe shtetit gjerman.

“Ky është një donacion shumë i çmueshëm, pasi që mjetet të cilat i janë dhuruar njësisë sonë kanë qenë shumë të nevojshme. Ne do të vazhdojmë edhe me tutje bashkëpunimin me shtetin tuaj dhe të koordinojmë bashkëveprimet në sektorë të tjerë”, ka thënë Bahtiri.

Në shenjë falënderimi, Bahtiri ka nderuar me mirënjohje donatorin gjerman Rudolf Esser dhe Shefki Shalën bashkëvendësin e devotshëm me qëndrim në Gjermani i cili kishte marrë iniciativën për sigurimin e pajisjeve për Njësinë e Zjarrfikësve në Mitrovicë.

Image