Arbëri

Matoshi garanton banorët e Harilaqit se nuk do të ndërtohet asnjë deponi e rrezikshme

Descriptive Text

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar Komunën e Fushë Kosovës, me ç’rast është takuar me kryetarin Burim Berisha.

Gjatë këtij takimi, Matoshi dhe Berisha kanë diskutuar për caktimin e lokacionit për ndërtimin e një deponie të përkohshme të materieve të rrezikshme në fshatin Harilaq të Komunës së Fushë Kosovës.

Në një konferencë për media, ministri siguroi kryetarin e Komunës dhe banorët e fshatit Harilaq se nuk do të ndërtohet asgjë që rrezikon shëndetin e qytetarëve të kësaj zone.

“Jemi të fokusuar që të bëjmë një zgjidhje të përbashkët. Siguroj banorët e fshatit Harilaq dhe gjithë banorët e zonës se nuk do të ndodhë ndërtimi i asnjë deponie e cila rrezikon jetën e banorëve në atë zonë. Këtë nuk do ta lejoj në rend të parë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Do të flasin ekspertë, do flasin faktet pastaj do të veprojmë së bashku”, tha Matoshi.

Ministri tregoi se ky projekt i financuar nga Komisioni Evropian në vlerë mbi 12 milionë euro është në fazën fillestare dhe, sipas tij, është i rëndësishëm ndërtimi i një deponie të përkohshme për materiet e rrezikshme.

“Në këtë fazë, ne jemi duke bërë vetëm shpimet gjeologjike në këtë zonë. Këtë ia sqaruam edhe kryetarit Berisha dhe së bashku ramë dakord që të takohemi sërish dhe të diskutojmë për t’i përfunduar këto procedura”, theksoi Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi, deklaroi se ndërtimi i një deponie të përkohshme nuk paraqet rrezik për banorët e Harilaqit dhe rrethinës.

“Ne si ministri jemi të bindur se kjo nuk paraqet asnjë rrezik për banorët, megjithatë faza e ndërtimit, e dhënie së lejes, e vlerësimit të ndikimit në mjedis, janë faza të mëvonshme”, u shpreh ministri.

Ai tha se mungesa e komunikimit rreth këtij projekti ka mundur të sjellë paqartësi për komunën dhe banorët e Harilaqit për lokacionin e ndërtimit të deponimit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha tha se Kuvendi Komunal gjatë kësaj jave do të marrë vendim për këtë çështje.

“Të enjten do ta kemi një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku do të vijë dikush nga Ministria e Mjedisit. Asambleja do të marrë një vendim se çka do të bëjmë me këtë çështje”, tha Berisha.