Arbëri

Tetori shpallet muaj i mbjelljes së drunjve dekorativë në Gjilan

Descriptive Text

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, Komuna e Gjilanit ka shpallur tetorin muaj të mbjelljes së drunjve dekorativë në hapësira publike, lagje e fshatra të ndryshme, me ç’rast iu bë thirrje të gjitha institucioneve dhe kompanive të ndryshme të mbjellin drunj dekorativ në gjithë territorin e Gjilanit.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në mbledhjen e grupit punues për pastrimin, gjelbërimin dhe ruajtjen e ambientit, ka kërkuar që të përgatitet plan i detajuar për muajin tetor dhe nëntor për pastrim, gjelbërim dhe vetëdijesim.

“Deri në javën e ardhshme, nga ekspertët do të caktohet lokacioni për mbeturinat e ngurta-inerte, për të vazhduar pastaj me largimin e deponive ilegale të cilat janë të evidentuara”, ka thënë ai.

Haziri ka falënderuar ekipet të cilat kanë kontribuar në pastrimin e ambientit, kompanitë e ndryshme, shkollat, institucionet shëndetësore, bashkësitë fetare, shoqërinë civile, të rinjtë, por edhe këshillat e fshatrave e lagjeve dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut që të pastrohet ambient.

“Po përgatitemi edhe për periudhën 12 deri 22 nëntor, kur në Gjilan kompanitë e kontraktuara nga Qeveria së bashku me ato gjilanase do të bëjnë largimin e deponive ilegale në lokacione të ndryshme. Gjithashtu, do të planifikojmë edhe një organizim të përgjithshëm për pastrimin frontal të gjithë territorit me pjesëmarrje të zgjeruar qytetare”, tha Haziri, duke kërkuar që Gjilani të bëhet qytet ekologjik.