Fuqizimi i të rinjve me kreativitet në 3 komuna të rajonit të Pejës

Fuqizimi i të rinjve me kreativitet në 3 komuna të rajonit të Pejës

11 tetor 2018 12:44

Pejë, 11 tetor –Organizata Kosovo Advocacy Development Center (KADC) ka nisur të zbatojë një projekt-pilot në Pejë, Istog dhe Klinë për fuqizimin e komunitetit përmes angazhimit, kreativitetit dhe inovacionit të rinisë me qëllim të rritjes së angazhimit të fëmijëve me aktivitete sportive në shkollat fillore.

Ndërsa në kuadër të këtij projekti të mbështetur nga USAID-i, përmes Zyrës së ATRC-së, është mbajtur të mërkurën në hapësirat e Drejtorisë së Arsimit në Pejë edhe tryeza me temë: “Sporti në shkolla”, në të cilën, përveç prezantimit të rezultateve të një ankete të zhvilluar me nxënësit e shkollave fillore, është diskutuar edhe për nevojën e përfshirjes së nxënësve në aktivitete sportive dhe në promovimin e aktiviteteve sportive midis nxënësve.

“Përveç zhvillimit fizik dhe mendor të nxënësve, sporti gjithashtu i ndihmon të rinjtë që të përfitojnë shprehi të shëndetshme dhe t’iu largohen shprehive të këqija, si konsumimi i duhanit, alkoolit, drogës, sjelljet e dhunshme, si dhe sjelljet ekstreme”, ka veçuar Shkumbin Spahia, drejtor i KADC-së, disa nga arsyet e rëndësishme për rritjen e aktivitetit sportiv të nxënësve në shkolla, por edhe klubet sportive. Mirëpo, ai e sheh të rëndësishëm bashkëpunimin nga të gjitha palët, duke filluar nga fëmijët e deri tek ata që hartojnë politikat për sport në shkolla dhe aktivitet fizik. “Është më rëndësi që kur flitet për hartimin e programeve, ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse që të përfshihen gjithë fëmijët, pavarësisht gjinisë dhe shkathtësive të tyre sportive. Prandaj edhe qëllimi i këtij projekti është që të angazhohemi së bashku dhe të kemi mundësi të hartojmë një program që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë aktivitetit sportiv, pasi ky aktivitet siç kanë treguar edhe studimet e ndryshme ka ndikuar në rritjen e aftësive të tyre me procesin mësimor”, ka theksuar Spahia.

Ndërsa Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, i konsideron të rëndësishme investimet në krijimin e kushteve për fëmijë për pjesëmarrjen e tyre në aktivitete sportive. “Ne duhet t’i motivojmë dhe frymëzojmë ata për t’u marrë me sport, sepse jeta e tyre do të jetë më e përgatitur. Sporti kërkon edhe administrim dhe qeverisje të mirë në shkolla dhe klube sportive. Por, dy orë edukate fizike në javë janë të mangëta në aspektin fizik për fëmijët. Ndoshta edhe kushtet infrastrukturore nuk lejojnë organizimin e aktiviteteve sesa dy orë në javë, pasi mësimi ndjekë në ndy ndërrime nëpër shkolla. E që ishte dashur të ishte 3 orë dhe synim yni është të bëhen 4 orë edukatë fizike në javë”, theksoi Alaj edhe nevojën e një plani strategjik, që në të ardhmen të ndryshohet edhe korrikula e arsimit për avancimin e sportit, me shtimin e orëve të edukatës fizike nëpër shkolla.

Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, siç tha drejtori i kësaj drejtorie, Engelbert Zefaj, janë rreth 1 mijë e 200 fëmijë të regjistruar në klubet sportive, e që sipas tij është numër shumë i vogël. “Nëse i krahasojmë këto shifra me vendet e zhvilluara, atëherë jemi shumë të pakënaqur me numrin e fëmijëve të angazhuar në aktivitete sportive. Prandaj duhet ta gjejmë problemin pse fëmijët nuk janë aktivë të përfshirë në klubet sportive”, është shprehur Zefaj. Ai e sheh të nevojshme që të rritet bashkëpunimi i shkollave me klubet sportive, i cili, sipas tij, aktualisht nuk është i kënaqshëm. Zefaj e konsideron gjithashtu të nevojshme ndërtimin e një rrjeti të bashkëpunimit dhe të një strategjie e plani të veprimit, si dhe të një bashkëpunimi midis Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkollave dhe klubeve sportive. “Ne nivel lokal mungon një strategji e bashkëpunimit, për çka duhet të ndahet edhe një buxhet për implementimin e kësaj strategjie”, ka theksuar Zefaj.

Në territorin e Pejës, siç tha drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, janë 29 shkolla fillore dhe 6 të mesme, me gjithsej 19 mijë e 500 nxënës, sa janë në këtë vit shkollor. Për të ngritur nivelin e aktiviteteve sportive në këto shkolla, ai tha se 90 për qind e shkollave i kanë sallat e edukatës fizike apo fusha ndihmëse sportive. Ndërsa, prej pesë vjetësh që ai është drejtor, sipas tij, janë ndërtuar edhe 4 salla të sporteve dhe e pesta është në ndërtim. “Aktualisht me aktivitet sportive merren 1 për qind e fëmijëve nëpër shkolla dhe synim yni është që të rritet në 3 për qind”, ka thënë Avdimetaj, duke kërkuar nga drejtor i Departamentit të sportit në MKRS, përkrahje më të madhe. Në këtë tryezë është prezantuar edhe rezultati i një anketimi të bërë me nxënës të klasave VII, VII dhe të IX të 3 shkollave në, që sipas organizatorëve të tryezës sqaroi se ky anketim është bërë për të kuptuar më mirë interesimin e nxënësve për llojet e sporteve që ata i pëlqejnë që atyre u ofrohen në programet e tashme të lëndës së edukatës fizike.

“Në anketim janë përfshirë 113 nxënës të dy gjinive, të cilët i janë përgjigjur pyetësorit me 14 pyetje. Nga ky anketim ka dalë se në përgjithësi fëmijët janë të interesuar të merren me aktivitete sportive”, është shprehur, ndër të tjera, Florina Berisha nga KADC-ja. Sipas organizatorëve të kësaj tryeze, me këtë projekt-pilot të nisur në Pejë, Klinë e Istog shpresohet që sportin nëpër shkolla do ta rrisin jo vetëm në këto 3 komuna.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme