Kërkohet që fshatrat shqiptare në veri të mbulohen me policë nga jugu i Mitrovicës

Kërkohet që fshatrat shqiptare në veri të mbulohen me policë nga jugu i Mitrovicës

11 tetor 2018 12:22

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bejtush Gashi, vizitoi sot komunën e Mitrovicës. Me këtë rast ai me kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri, biseduan për situatën e përgjithshme në Komunë, me theks të posaçëm për atë të sigurisë. Situata u vlerësua e qëndrueshme.

Kryetari Bahtiri e njoftoi ministrin Gashi lidhur me projektin e BE-së për rehabilitimin e urës kryesore mbi lumin Ibër. Ai bëri të ditur se në cepin jugor ura është kryer para më shumë se një viti, ndërsa para ca ditësh ka përfunduar edhe në cepin verior.

”Jemi në bisedime e sipër për organizimin e ceremonisë së inaugurimit dhe hapjes së urës për lëvizje, qarkullim të lirë të njerëzve dhe automjeteve. Lidhur me këtë kemi biseduar në një takim të përbashkët ku ishte, pos kryetarit të Mitrovicës veriore, dhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova. Shpresoj se do të merremi vesh për organizimin e ceremonisë inauguruese sa më shpejtë që është e mundur dhe që kjo të bëhet në mënyrë paqësore e pa probleme, tha ai.

Po ashtu, kryetari Bahtiri, kërkoi nga ministri Gashi që vendbanimet që i takojnë komunës së Mitrovicës Jugore, që ndodhen në pjesën veriore të lumit Ibër, të mbulohen nga pjesëtarët e stacionit jugor të policisë, e jo atij verior.

Ministri Bejtush Gashi tha se kjo Ministri do të mbështesë qytetarët e Komunës së Mitrovicës dhe udhëheqjen e saj maksimalisht për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe për të krijuar një ambient akoma më të sigurte për të gjithë qytetarët.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme