Arbëri

Së shpejti shujta ditore për nxënësit e Gjilanit

Komuna e Gjilanit së shpejti do të fillojë me pilot-projektin e shujtave për nxënësit, ku fillimisht do të aplikohet në shkollën “Selami Hallaqi”, “Musa Zajmi” dhe “Abaz Ajeti”, ndërkaq hapi tjetër është mësimi – qëndrimi tërëditor në shkolla.

“Bazuar në të dhëna dhe vlerësimet e ndryshme dhe në konsultim edhe me drejtorët e shkollave dhe me mësimdhënësit, mendojmë se kjo formë do të jetë një avancim tutje dhe një përgatitje më e lartë e nxënësve në fusha të ndryshme, që do t’u mundësoj atyre të jenë në të ardhmen një fuqi e suksesit dhe me nivel më të lartë profesional. Këto veprime do të japin rezultate dhe sukses në vitet e ardhshme”, ka thënë drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, gjatë konferencës së sotme për media.

Gagica pohoi se resori që udhëheq ai, ka arritur realizimin e të gjitha objektivave deri në këtë fazë, sikur që ka realizuar projekte të ndryshme, ka përgatitur regjistrimin e nxënësve në të gjitha nivelet e shkollimit dhe njëkohësisht ka bërë edhe pranimin e mësimdhënësve të rinj në punë, konform kërkesave dhe obligimit ligjor që ka.

“Procesi i mësimit për vitin shkollor 2018/2019, ka filluar me kohë në të gjitha shkollat, ku janë bërë edhe regjistrimet e fëmijëve në nivele të ndryshme edukative dhe arsimore, sikur që kemi bërë edhe pranimin e kuadrit arsimor për vende pune përmes procedurave të rekrutimit”, tha ai.

“Në institucionet parashkollore me qëndrim ditor këtë vit janë pranuar 423 fëmijë nga mosha nëntë muajsh e deri në gjashtë vjet, 1250 nxënës janë regjistruar në klasën e parë, 1594 nxënës në klasat e dhjeta dhe personeli profesional në të gjitha komunitetet kanë përmbushur të gjitha obligimet dhe procedurat profesionale e administrative, që më tre shtator të filloj mësimi i rregullt në të gjitha shkollat”, ka thënë Gagica.

I pari i Arsimit në Gjilan ka njoftuar se këtë vit ka filluar projekti i evidentimit të vijueshmërisë së mësimdhënësve, ndërkaq është bërë dezinsektimi dhe dezinfektimi i hapësirave dhe në raste të veçanta edhe deratizimi, për të krijuar kushte më të mira për nxënësit dhe personelin e shkollës për ambient të pastër dhe të përshtatshëm për punë.