Rahoveci rrënon objektet e vjetra që paraqesin rrezik për qytetarë

Rahoveci rrënon objektet e vjetra që paraqesin rrezik për qytetarë

24 shtator 2018 14:30

Komuna e Rahovecit ka nisur rrënimin e objekteve të vjetra të cilat konsiderohen si rrezik për qytetarët, njofton komuna përmes një kumtese për media, transmeton Koha.net.

“Përmes projektit ‘rrënimi i objekteve pa leje si dhe objekteve të vjetra’, në përkujdesjen e drejtorisë së Inspeksionit të komunës së Rahovecit, ka nisur rrënimi këtyre objekteve të cilët nga zyrtarët komunal, janë vlerësuar si objekte që paraqesin rrezik për qytetarë. Ecurinë e projektit nga afër e kanë par sot, kryetari i komunës Smajl Latifi dhe drejtori i Inspeksionit Besnik Hoti”, shkruan në kumtesë.

Hoti shprehet se “fillimi i rrënimit të objekteve të vjetra të cilat paraqesin rrezik për qytetarë ka ardhur si rezultat i vlerësimit të bërë nga zyrtarët komunal dhe se kompania e kontraktuar nga komuna ka rrënuar objektin e vjetër të shkollës “Mustafë Ibishi” në fshatin Kramovik dhe të një shkolle të mesme, si dhe i objektit të stacionit të policisë në fshatin Ratkoc”.

Gjithashtu, Hoti thotë se në ditët në vazhdim do të rrënohen objektet të tjera, që përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve dhe objekteve që paraqesin pengesë për zhvillimin infrastrukturor e urban në komunën e Rahovecit.

“Qytetarët e kanë pritur mirë rrënimin e këtyre objekteve, duke thënë se rrënimi i objekteve të vjetra ka evituar rrezikun i cili ka ardhur nga këto objekte, pasi që në vazhdimësi ka lëvizje të qytetarëve afër këtyre objekteve”, thuhet në kumtesën e komunës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme