Arbëri

PDK thotë se punëtorët shëndetësorë në Gjilan që nga tetori i 2016 janë pa paga

Descriptive Text

Punëtorët shëndetësorë të QKMF-së në Gjilan, rreth 62 persona ku përfshihen 6 mjekë, dy stomatologe dhe pjesa tjetër teknikë medicinalë, që nga muaji tetor i vitit 2016 kanë mbetur pa paga mujore.

Kështu ka thënë PDK në Gjilan, nëpërmjet një komunikate, ku kërkohet nga kryetari i komunës, Lutfi Haziri, që sa më parë ta kryejë obligimin e tij ligjor, të paguajë pagat e mbetura të punëtorëve shëndetësorë të QKMF-së, sipas përgjegjësisë që ka marrë përmes kësaj marrëveshjeje.

“Sipas një projekti të Karitas – Kosova, për ‘përkujdesin shtëpiak’, të nënshkruar ndërmjet Karitas – Kosova dhe kryetarit të Komunës, ishte arrit një marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi, me afat njëvjeçar, me mundësi vazhdimi, për pagesën e stafit mjekësor dhe teknik medicinal. Fillimisht ishte numër më i vogël, i kufizuar i punëtorëve shëndetësorë, mirëpo, pas zgjerimit-rritjes së këtij numri, në 63 syresh (madje 4 prej tyre nuk janë fare punëtorë të QKMF-së), kryesisht me militantë të LDK-së dhe familjarë të autoriteteve të komunës dhe menagjmentit të QKMF-së, është pamundësuar pagesa e mjekëve dhe teknikëve medicinalë, sipas kësaj marrëveshjeje, tash e katër muaj”, thuhet në njoftimin për media.

“Aq më keq, për shkak të rritjes së këtij numri, jashtë marrëveshjes, ka ndodh zbritja e pagës së stafit shëndetësor, nën standardin e pagave në nivel vendi. Vlen të theksohet se, sipas kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit, komuna participon me mbi 70%, Ministria e Shëndetësisë me rreth 20%, kurse Karitas-Kosova, me rreth 10%”, thuhet më tej.

Sipas njoftimit, përderisa, QKMF nga kodi i vet buxhetor ka mjete financiare për të derdhë në projekte tjera të komunës, siç është projekti i ndriçimit publik, e në anën tjetër, punëtorëve të vet nuk u jepen pagat që nga tetori i vitit të kaluar.