Arbëri

Në Gjilan fillon hapja dhe pastrimi i pusetave të bllokuara

Në Komunën e Gjilanit, Kompania Regjionale e Ujit, ‘Hidromorava’, në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Gjilanin’, ka filluar pastrimin e ujëmbledhësve atmosferik nëpër rrugët e qytetit të Gjilanit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Muhamed Suliqi, drejtor i KRU ‘Hidromorava’, ka pohuar se aktiviteti i sotëm i realizuar nga punëtorët e kësaj kompanie, është në kuadër të planit të veprimit në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Gjilanin’ dhe do të vazhdojë deri në hapjen e të gjitha pusetave, transmeton Koha.net.

“Pastrimin e pusetave të grumbullimit të ujit atmosferik, ‘Hidromorava’ është duke e bërë në kuadër të aksionit për pastrimin e Gjilanit, aksion i cili ka filluar me datën 15 shtator dhe do të vazhdojë deri më 15 dhjetor. Pastrimi i ujëmbledhësve është i domosdoshme për evitimin e vërshimeve gjatë të ardhmes në rast të reshjeve, por njëkohësisht eliminon edhe kundërmimin. Si kompani do të vazhdojmë që t’i mirëmbajmë edhe në të ardhmen, por njëkohësisht apelohet te qytetarët, që të mos hedhin mbeturina në to”, ka thënë ai.