116 nxënës të “Shotë Galicës” në Drenas ende s’e vijojnë mësimin, prindërit paralajmërojnë protesta

22 shtator 2018 20:29

Këta nxënës tash e një muaj nuk po mund të hyjnë në shkollë.

Një vendim i Komunës së Drenasit ka bërë që 116 nxënës të fshatit Abri, të mos fillojnë procesin mësimor tash e gati një muaj, raporton KTV.

Paralelja e shkollës “Shotë Galica”, po mbahet e mbyllur që nga 31 gushti i këtij viti.

Prindërit janë shprehur të shqetësuar për mosfunksionalizimin e paraleles, pasi siç thonë ata, fëmijët do të humbasin mësimin.

Prindërit e këtyre fëmijëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me këtë vendim.

Ata kanë treguar se fëmijët e tyre duhet të udhëtojnë në rrugën e gjatë me plotë rreziqe, për të zhvilluar mësimin në shkollën “Shotë Galica”.

Ky nuk është problemi i vetëm që i shqetëson këta prindër.

Mungesa e një trotuari, rruga e gjatë dhe e rrezikshme, si dhe qentë endacakë, janë arsye pse prindërit po shqetësohen.

Ata kanë thënë se nuk do të ndalen në asnjë formë deri në realizimin e kërkesave të tyre për funksionalizim të paraleles.

Ndërkaq, Bekim Dobra, zëdhënësi i Komunës së Drenasit, përmes telefonit i ka thënë KTV-së se takimi është paraparë të mbahet të hënën pasi që kryetari Lladrovci gjendet jashtë vendit, dhe se janë të informuar se prindërit, përveç takimit me kryetarin, kanë paralajmëruar protestë duke kërkuar funksionalizimin e disa shkollave.

Këto shkolla nuk po hapen për arsye të mungesës së mjeteve dhe numrit të vogël të nxënësve, siç ka thënë Dobra, duke pamundësuar punën.

Kundër vendimit për mbylljen e shkollave në komunën e Drenasit ishte deklaruar edhe vetë Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi. Ai pas një takimi që kishte pasur me banorët pati thënë se vendimi është i pabazuar dhe i gabueshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme