Arbëri

116 nxënës të shkollës “Shotë Galica” ende s’e vijojnë mësimin

Edhe pas 3 javësh prej kur ka filluar procesi mësimor, 116 nxënësit e paraleles “Shotë Galica”, të fshatit Abri e Epërme, nuk po mbajnë mësim, për shkak se Komuna e Drenasit ua ka mbyllur objektin për t’i dërguar në shkollën amë, 4 km më larg.

Meqë komuna e Drenasit e kishte mbyllur këtë paralele të ndarë të shkollës, prindërit nuk po i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollën amë.

Përveç largësisë, prindërit thonë se edhe transporti nuk është i sigurt.

Ata thonë se megjithëse kanë kërkuar të bëjnë një zgjidhje, drejtori i Arsimit nuk ka dashur të flasë me ta për këtë çështje.

Mbyllja e paraleleve është kundërshtuar edhe nga opozita në këtë komunë. Drejtori i Arsimit thotë se fëmijët janë bartur në shkollën tjetër, meqë mësimdhënësit nuk ishin të kualifikuar.

E ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, bën të ditur se i kanë dërguar letër zyrtare DKA-së për vendimin, të cilin e quan jo të bazuar, duke kërkuar të anulohet vendimi.