Arbëri

Gjilani premton investime në përmirësimin e jetës së komunitetit rom

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me Komitetin për Komunitete dhe me Policinë në Bashkësi, kanë vizituar sot lagjen “Elez Agushi” dhe “Avdulla Presheva”, lagje këto në të cilat është i përqendruar komuniteti rom në Gjilan, për të parë gjendjen në të cilën jetojnë ata, kushtet infrastrukturore, gjendjen ekonomike dhe sociale por edhe kushtet në të cilat mbahet mësimi në gjuhën rome.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Haziri ka premtuar se në këto lagje Komuna do të investojë në infrastrukturën publike dhe njëkohësisht do të punojë edhe në zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale për disa familje.

“Kam vizituar sot banorët e dy lagjeve të qytetit, ku janë të përqendruar komuniteti rom, të cilat janë me gjendje të rëndë sociale e ekonomike dhe me papunësinë që është shumë e lartë. Në kuadër të banimit social, ne do të angazhohemi me Ministrinë për Kthim në veçanti, por edhe me ministritë e tjera dhe me buxhetin e Komunës, që ti balancojmë kërkesat dhe do të ndërhyjmë shumë shpejtë me ndërtim të shtëpive, infrastrukturës, kryesisht me ndriçim për shkaqe sigurie për të gjithë qytetarët pa dallime etnike”, ka thënë Haziri.

Gjilani është Komuna e vetme që ka shkollën e cila mësimin e realizon në gjuhën rome, thotë kreu i kësaj komune.

“Jemi Komuna e vetme që mësimin për këtë komunitet e ka në gjuhën rome. Edhe parashkollorët por edhe klasat tjera ndjekin mësimet në atë shkollë. Është e papranueshme që fëmijët romë të mësojnë në ato kushte dhe gjendje aq të degraduar. Do të angazhohemi konkretisht për këtë komunitet që të kenë kushte më të mira në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe punësim”, ka thënë Haziri.

Ai ka falënderuar edhe Policinë në Bashkësi, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sigurinë e këtij komuniteti dhe bashkëpunimin në përgjithësi në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Gjilanit.

Kurse, Fadil Demiroviq, përfaqësues i komunitetit rom, në Komitetin për Komunitete, ka thënë se vizita e kryetarit të Komunës në lagjet e romëve është një mbështetje për tad he shpresë për jetë më të mirë.

“Vizita e kryetarit të Komunës në lagjet ku banojnë komuniteti romë, është një shpresë për neve dhe besojmë se gjendja ekonomike dhe sociale do të nisë me ndryshuar për komunitetin tonë”, ka thënë mes tjerash ai.

Pas vizitës nëpër lagje të ndryshme, Haziri ka dëgjuar edhe hallet e tyre në një takim të përbashkët dhe njëkohësisht ka ofruar zgjidhje në bazë të prioriteteve për këtë komunitet.

Për ndryshe, në këtë lagje bazuar në vlerësimin e rrezikshmërisë, do të rrënohen shtëpitë që janë të degraduara dhe rrezik për jetën e qytetarëve.