Arbëri

Dy aktakuza të Vetëvendosjes në Gjykatë ndaj kryetarit të Podujevës

Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, mund të përballet me drejtësinë, raporton KTV.

Kjo pasi qendra e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Podujevë ka dorëzuar dy kallëzime penale kundër Veliut në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Sipas kësaj partie, Veliu ka bërë shkelje ligjore pasi në vazhdimësi nuk ka lejuar qasje në dokumente publike, e drejtë kjo e garantuar edhe me Kushtetutë.

Ai ka thënë se kishin kërkuar qasje në kontratën e projektit për ndërtimin e një rruge, por një gjë e tillë nuk iu është lejuar. Kjo qendër hedh dyshime se pa miratimin e Kuvendit Komunal dhe në kohë zgjedhjesh, Veliu, për të përfituar vota, ka ndryshuar kontratën, duke ndarë mjete vetëm për asfaltim, ndërkaq krejt diçka tjetër ishte paraparë me atë projekt.

Ndërkaq, kallëzimi i dytë penal ka të bëjë me atë se Veliu nuk e ka suspenduar shefin e personelit, i cili është dënuar nga organet e drejtësisë por i njëjti ka marrë pagë duke e dëmtuar buxhetin e komunës. Kohavisioni ka kontaktuar edhe me të parin e Podujevës por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve të televizionit.