Arbëri

Maturantët e Ferizajt s’e ndalin protestën për ekskursionin në Shqipëri

Vezë e gurë janë hedhur në drejtim të objektit të komunës së Ferizajt nga maturantë të kësaj komune.
Ata, me protestë, kanë kërkuar që t’i mundësohet realizimi i ekskursionit në shtetin shqiptar gjatë muajit shtator, raporton KTV.

Maturantët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre që shëtitja nuk u realizua në këtë kohë, siç ka ndodhur me maturantët e qyteteve të tjera.

Nxënësit thonë se do të vazhdojnë me protesta, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Prindërit kanë kërkuar ridizajnim të planprogramit për shëtitje.

Ata shprehen të shqetësuar se deri tash nuk është organizuar ekskursioni në mënyrë të duhur, andaj kanë kërkuar që ky udhëtim të shtyhet por jo të anulohet krejtësisht.

Drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka thënë se janë në konsultim me prindërit dhe drejtorët e shkollave të mesme për të gjetur një plan të ri dhe se janë duke punuar për një zgjidhje më të mirë për nxënësit.
Kjo është hera e dytë brenda javës që këta nxënës po protestojnë për të njëjtat arsye.