Arbëri

Merret vesh kush i ka vandalizuar varrezat në një fshat të Podujevës

81 varreza janë dëmtuar në fshatin Llapashticë e Poshtme në Podujevë.

Gurët dhe piramidat e varrezave duket se janë thyer qëllimisht, por nuk është vërejtur ndonjë veçanti apo cilësi që tregon prapavijën e këtij veprimi, raporton KTV.

Shumë banorë të këtij fshati janë prekur nga ky rast, e disa nga ta kanë filluar rregullimin e dëmeve menjëherë.

Policia e Podujevës është njoftuar për rastin dhe ka identifikuar personin e dyshuar menjëherë. I dyshuari është mashkull, 26-vjeçar po nga i njëjti fshat.

Antigona Citaku - Dibrani, rreshtere në stacionin e Policisë në Podujevë, ka thënë se i dyshuari është arrestuar menjëherë, por është liruar me urdhër të Prokurorisë meqenëse sipas saj, ai vuan nga skizofrenia.

Besohet se veprimi i të dyshuarit nuk ka pasur ndonjë tendencë dhe ka ardhur si pasojë e sëmundjes së tij.

Mjeku përkatës ka lëshuar raport dhe në ditët në vijim, ai do të dërgohet për trajtim në neuropsikiatri.