Mungesa e transportit po ju sjell telashe nxënësve përreth Orllanit

13 shtator 2018 20:55

Mungesa e transportit për nxënësit e shkollës fillore “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan po paraqet problem që këta nxënës të vijojnë mësimet me rregull.

Rrugën e gjatë deri në shkollë e bëjnë çdo ditë fëmijët e fshatrave Kushevic, Barainë, Turiqicë dhe Rakinicë. Njësoj kilometra ecin edhe kah kthehen.

Prindërit detyrohen të gjejnë mënyra të ndryshme për t’i dërguar fëmijët në shkollë, raporton KTV.

Por shumë prej tyre ecin këmbë çdo ditë. Por, hallet e tyre nuk përfundojnë me kaq.

Rreziku nga qentë endacakë është problemi tjetër, i cili i shqetëson prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët detyrohen të lënë punët e tyre për t’i përcjellë fëmijët.

Ata thonë se nëse nuk sigurohet transporti, do të detyrohen t’i ndalin fëmijët nga mësimi.

Zijadin Zeqiri, drejtor i shkollës “Zahir Pajaziti”, thotë se kanë bërë kërkesë në komunën e Podujevës për t’u siguruar transport nxënësve dhe se kanë marrë premtime nga komuna.

Ndërkaq, komuna e Podujevës thotë se zgjidhja e problemit është në fazën përfundimtare dhe se transporti për të gjithë nxënësit që udhëtojnë më shumë se 4 kilometra do të fillojë javën që vjen.

Në këtë shkollë e vijojnë mësimin 163 nxënës, ndërkaq nxënësit tash e disa vite po përballen me këtë problem.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme