Rënia e tavanit gjatë mësimit në një shkollë në Gjilan tmerron nxënësit, punëkryerësi në arrest

13 shtator 2018 19:36

Në shkollën e mesme të ulët “Vehbi Ibrahimi” në fshatin Uglarë të Gjilanit, nuk po mbahet mësimi për shkak të një incidenti që ka ndodhur dy ditë më parë.

Një pjesë e izolimit të tavanit është shkëputur dhe ka rënë në klasë gjatë orarit mësimor.

Kjo i bën klasat të pasigurta dhe ndalohet mbajtja e procesit mësimor përkohësisht.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se Ardian Llapashtica, pronar i kompanisë kontraktuese “SHPK CDC”, është ndaluar për 48 orë dhe po dyshohet për cilësi të dobët të punimeve.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka thënë se kompania “SHPK CDC” është e kontraktuar për më gjatë se 5 vjet dhe asnjëherë më parë nuk kanë pasur probleme me të.

Prokurori i caktuar për këtë rast, Agron Uka, nuk pa pranuar të prononcohet para kamerës por në një bisedë telefonike ka thënë se pronari i kompanisë kontraktuese po hetohet për punë të paligjshme ndërtimore.

Në shkollën “Vehbi Ibrahimi” po bëhen punime, ndërsa mësimi pritet të fillojë shumë shpejt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme