Arbëri

“Mihal Grameno” në Fushë Kosovë me numër të madh të nxënësve, Bytyqi premton mbështetje

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, sot me stafin e tij ka vizituar shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku është njoftuar lidhur me problemet dhe numrin e madh të nxënësve me të cilët ballafaqohet viteve të fundit kjo komunë.

Ai me këtë rast premtoi mbështetje të vazhdueshme në zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e kushteve më të mira për të siguruar arsim më cilësor, duke thënë se në koordinim me Ministrinë e Financave do të shohin mundësitë e bashkëpunimit për rritjen e paraleleve dhe ndërtimin e shkollave të reja në Fushë Kosovë.

“Ajo çka do të dërgoja një porosi, veçanërisht për mësimdhënësit, pavarësisht vështirësive dhe probleme që mund t’i ketë edhe shkolla dhe mund t’i kenë edhe shumë shkolla të tjera, ne mësimin duhet ta marrim si një profesion të shenjtë dhe duhet të bëjmë maksimumin që nxënësve t’ju ofrojmë dijen e merituar, kompetencën e merituar. Këto problemet tjera që janë të rëndësishme duhet t’i zgjedhim gradualisht dhe brenda mundësive. Mësimin duhet ta bëjmë maksimalisht”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë , Islam Shabani, ngriti shqetësimin e tij për numrin e lartë të nxënësve në këtë shkollë, raporton KP.

“Këtë migrim të madh të madh të popullatës, që po na shkakton edhe rritje të vazhdueshme të numrit të nxënësve. Kjo është shkolla më e madhe, ndër shkollat më të madha ndoshta në Kosovë, numëron 2700 nxënës. Ne po ballafaqohemi me situatën, që nuk kemi pasur mundësi sivjet t’i sistemojmë në këtë shkollë të gjithë ata nxënës. Vitin e kaluar kjo shkollë ka punuar me ndërrimin e tretë, që na ka shkaktuar shumë probleme dhe kemi pasur shumë ankesa të prindërve”, ka thënë Shabani.

Nënkryetari i komunës Fadil Krasniqi, ka thënë se komuna e Fushë Kosovës, dita- ditës është duke u rritur në aspektin e zhvillimit ekonomik, por edhe për nga numri i qytetarëve, në veçanti edhe për nga numri i nxënësve.

“Jemi me përkushtim të madh së bashku me drejtor të shkollave, drejtorinë arsimit, mirëpo edhe me qytetarët, që të krijojmë kushte që këta nxënës të vijojnë mësimin në kushte normale. Dua ta falënderojmë edhe ministrinë e Arsimit që në shumicën e rasteve na ka dal në ndihmë. Realisht, ne këtu së bashku me drejtorin e arsimit dhe me drejtorët e shkollave do t’i tregojmë disa vështirësi dhe kërkesa të cilat do t’ju parashtrohen juve si ministri, me qëllim që të na dilni në ndihmë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, Ismet Gashi drejtor i shkollës “Mihal Grameno” tha se për numrin e madh të nxënësve që ka kjo shkollë, duhet të shtohet edhe numri i mësimdhënësve.

Edhe deputeti Veton Berisha tha se do të angazhohet që të krijohen kushte për rritjen e hapësirës së kësaj shkolle.