Arbëri

Vitin e ardhshëm në Obiliq nis ndërtimi i kampit për stërvitje të futbollistëve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ndjekur për së afërmi punimet që po zhvillohen në objektin e Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, për riparimin e të cilit ministria që ai drejton ka investuar rreth 750 mijë euro.

Ai gjithashtu gjatë kësaj vizite, së bashku me kreun e komunës Xhafer Gashi, vizituan edhe stadiumin “Agron Rama”, ku foli rreth projektit të tri fushave ndihmëse, që është njëri prej projekteve kapitale që e financon UEFA.

“MKRS është duke investuar në ndërtimin e Shtëpisë se Kulturës një projekt rreth 750 mijë euro dhe besoj se jemi tek faza e fundit e realizimit të këtij projekti. Jemi këtu për të vizituar më afër kryetarin por edhe për te vizituar këtë objekt dhe më e rëndësishmja për të përgëzuar kryetarin për persekutimin e tij për ndarjen e hapësirave për lokacionin tre fushave ndihmëse për futboll, që është njëri ndër projektet më të madha kapitale që e financon UEFA. Është një projekt i përbashkët trepalësh mes MKRS, komunës së Obiliqit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë federata, ndërsa financimin do ta bëjë UEFA. Ajo që është më rëndësi kryetari dhe ministria kanë qenë të përkushtuar që në afat rekord të sigurohet edhe hapësirën edhe parcelën në mënyrë që të sigurojmë këtë investim pasi që do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në komunën e Obiliqit në infrastrukturë n sportive”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se investimi 3 milionësh nga UEFA është i mirëpritur nga qytetarët e Obiliqit.

“Biseduam për dy tema të rëndësishme që janë për qytetarët e Obiliqit, njëra është temë e cila është përfituese pothuajse e tërë Kosova kanë të bëjnë me kulturën dhe sportin. Shtëpinë e Kulturës kemi filluar një projekt madhor dhe shumë i domosdoshëm për qytetarët e Obiliqit, bashkëbiseduam me ministrin që të vazhdojmë edhe më tutje me përmbylljen e këtij projekti. Biseduam edhe për stadiumin “Agron Rama”, i cili do të ndërrojë karakterin e punës së tij. Duhet falënderuar ministrin për angazhimin e madh që ka pasur rreth memorandumit të mirëkuptimit edhe me Federatën e Kosovës me qëllim që të krijohen mundësitë e investimit, rreth 3 milionë investim fillestar për UEFA-n dhe jemi mirënjohës për këtë ndaj MKRS-së”, tha ai.

Në vizitën në stadium prezent ishte edhe kryetari i Federatës së Sportit të Kosovës Agim Ademi, i cili falënderoi komunën e Obiliqit që ndau pronën e saj në shërbim të Kampit Nacional të futbollit.

“Federata e Futbollit do të jetë pronare e saj për 25 vitet e ardhshme sa është dhënë në shërbim. Normalisht, këtu do të jetë kampi nacional siç e kanë edhe shtetet e tjera, do të jetë më moderni i mundshëm që është tani. Do të fillojnë punimet dhe do të jenë 3 fusha minimum që do të jenë këtu dhe objektet përcjellëse. Në këtë kamp përveç fazës stërvitore që do të bëhen nga ekipet nacionale, do të zhvillohen edhe ndeshjet e kategorive të reja siç janë nga U21, futbolli i femrave, dhe kategoritë tjera më të ulëta siç janë U19, U17, U15 e kështu me radhë. Por, normalisht këtu do të ketë vend edhe për klubin aktual, që është klubi i qytetit”, tha ai.

Punimet e kompleksit, që është i pari dhe i vetmi i këtij lloji në Kosovë, pritet të fillojnë vitin e ardhshëm.