Arbëri

Në Gjilan bëhen përgatitje për investime në trajtimin e ujërave të zeza

Në Komunën e Gjilanit po qëndron ekipi i kompanisë “Posch Plus Partner”, me seli në Austri, e kontraktuar nga Banka Evropiane për Investime dhe BERZH-i, për rishikimin e studimit të fizibilitetit për ujërat e zeza, që pritet të përfundohet deri në fund të muajit tetor, për të hapur rrugën e procesit të realizimit dhe investimit të impiantit, kolektorëve dhe gypit kryesorë.

Në takimin e përbashkët me drejtuesit e KRU “Hidromorava”, ekspertëve të fizibilitetit, përfaqësuesve komunalë, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se Gjilani ka nevojë emergjente për investime në trajtimin e ujërave të zeza.

“Komuna e Gjilanit ka prioritet trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e impiantit dhe kolektorëve. Deri më tani lumi që dikur ishte shkaktari kryesor i kundërmimit në zemrën e qytetit, por edhe i imazhit shumë degradues, është kthyer në një atraksion të vërtetë dhe shëtitore me shumë vlerë për qytetarët në përgjithësi. Përmes qeverisë, por edhe donatorëve do të veprojmë njëjtë edhe me lumin tjetër që kalon nëpër qytet, siç është ‘Stanishorka’, që nevojitet një investim mjaft i madh”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa nga ana e kompanisë së kontraktuar, ekspertët janë interesuar për aspektin praktik të funksionimit, gjendjes së furnizimit me ujë të pijes, legjislacionin në fuqi, numrit të popullsisë, ekonomive familjare dhe komunitetit të biznesit, por edhe aspektin e kostos financiare dhe rrjetit të konsumatorit në përgjithësi.

Rishikimi i studimit i hap rrugën procesit të realizimit dhe investimit në impiant, kolektor dhe gypit kryesor që është jetike për Gjilanin dhe zgjidhjen e këtij problem për dekata të ardhshme.