Arbëri

Dikur fshati më i madh i Podujevës, tash është thuajse i braktisur

Dikur fshati më i madh në komunën e Podujevës, që i numëronte rreth 100 familje, në përbërje prej 9 lagjeve, tani kanë mbetur vetëm 20 shtëpi, me vetëm tri lagje.

Më vështirë se të tjerët e kanë fëmijët. Qetësia dhe heshtja e fshatit Popovë të Podujevës tregon më së shumti për fatin e tij - atë të braktisjes. Zaten kjo vërehet, sidomos në shkollën “Drita”, në të cilën kanë mbetur vetëm 7 nxënës të klasave të ndryshme, të cilët mësojnë se bashku.

“Në këtë bankë të pare janë dy nxënësit e klasës së parë,këtu dy i kemi të klasës se dytë, një në të tretën dhe dy në të katërtën. Menaxhimi i orës nuk është i lehtë pasi qasja është e ndryshme për te gjithë dhe, shpesh kur i shpjegoj diçka për klasë të parë, këta të tjerët mund të shpërqëndrohen”, tha për televizionin publik Gentianë Rekalica.

“Jo vetëm në shkollë,por edhe për banorët e paktë të mbetur në këtë fshat, jeta po vështirësohet përditë e më tepër. Jetoj me 6 anëtarë të tjerë, pa komshi. Veç kësaj kam gruan të sëmurë”, tha Raip Segashi, banor i cili jeton 6 km larg rrugës kryesore të fshatit.

Ndërkaq, Muhamet Murati, përfaqësues fshatit, thotë se ky vendbanim është lënë pas dore.

“Nuk kemi mbështetje, ky fshat ka histori të veçantë, sepse këtu, për të parën herë, është ngritur flamuri në vitin 1909 nga Hys Popova, d.m.th para atij të Vlorës”, tha Muhamet Murati.

Këtu dikur thuhej se kishte edhe shumë mullinj për shkak të numrit të madh të banorëve.

Bukuritë natyrore të fshatit Popovë po i gëzojnë vetëm ata pak banorë të mbetur, ndoshta deri në shpërnguljen e tyre të tërësishme.