Arbëri

Banorët e opozita në Gjilan kundërshtojnë zgjerimin e rrugës në kurriz të gjysmës së parkut

Projekti për zgjerimin e rrugës që po bëhet nga qendra deri në fshatin Livoq të komunës së Gjilanit prek një pjesë të parkut të këtij qyteti.

Për qytetarët e kësaj komune, kjo është e papranueshme, sidomos për pensionistët që e frekuentojnë çdo ditë këtë park, raporton KTV.

Ata thonë se ka pak hapësira gjelbëruese.

Edhe opozita në këtë komunë është kundër zgjerimit të rrugës në këtë mënyrë.

Riza Avdyli nga PDK-ja thotë se komuna nuk i ka ftuar në diskutim publik qytetarët për t’i informuar në lidhje me projektin.

Ndërsa në komunën e Gjilanit thonë se nuk kanë ndonjë ankesë nga qytetarët.

“Ne si institucion komunal nuk kemi asnjë reagim zyrtar nga qytetarët. Sivjet planifikohet që rruga të ndalet te hyrja e Spitalit Regjional, ku planifikohet të ndërtohet një rrethrrotullim, vitin tjetër është planifikuar të vazhdohet në trasenë poshtë. Nëse eventualisht ditëve në vijim kemi ndonjë reagim të tillë, ne padyshim do të ulemi dhe do ta analizojmë cilëndo kërkesë që vjen nga qytetarët sepse kjo rrugë dhe gjithë rrugët bëhen pikërisht për qytetarët”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit.

Ndryshe, zgjerimi i kësaj rruge arrin shumën e 2 milionë eurove dhe financohet nga Ministria e Infrastrukturës.