Arbëri

Banorët e Artakollit në Vushtrri kërkojnë riasfaltimin e rrugës që lidh 18 fshatra

“Stop gropave”, “Ktheni taksat tona”, kanë qenë disa prej parullave me të cilat kanë protestuar banorët e zonës së Artakollit në Vushtrri.

Ata kanë kërkuar riasfaltimin e rrugës 12 kilometërshe që lidh 18 fshatra të kësaj ane, raporton KTV.

Muaj më parë, Ministria e Infrastrukturës kishte larguar asfaltin e vjetër të kësaj rruge, për të përgatitur terrenin për asfaltin e ri.

Lajmi se rruga nuk do të përfundojë sivjet, thonë banorët, i ka detyruar të ngrenë zërin.

Nëse kjo gjendje nuk ndryshon së shpejti, kanë paralajmëruar ndaljen e fëmijëve nga shkolla.

Pos kësaj, protestuesit kërcënuan edhe me bllokim të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë dhe protestë tjetër para qeverisë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se projekti për këtë rrugë është 3 vjeçar, por se do të shohin mundësitë e përshpejtimin të tij.

“Për këtë vit janë paraparë gërmimi, zgjerimi, mbushja e kanaleve anësore si dhe zhavorri. Para dy ditësh, jam takuar me përfaqësuesit e fshatrave dhe e kemi diskutuar situatën. Asfalti është i paraparë për vitin tjetër, por po i shohim mundësitë inxhinierike që për hir të rëndësisë së rrugës, ministri Pal Lekaj do të angazhohet që të sigurohet buxheti që të vendosim një shtresë të asfaltit këtë vit”, ka thënë Fatos Mani, këshilltar politik i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Mani ka shtuar se vendimi për asfaltim ose jo gjatë këtij viti do të merret brenda 10-12 ditësh.