Arbëri

Paralajmërohet rrënimi i pjesës pa leje të një qendre tregtare në Prizren

Administrata e Prizrenit ka njoftuar se Drejtoria e Inspektorateve ka nisur ekzekutimin e vendimit për rrënim të një pjese të projektit të një qendre tregtare në rrugën “Tirana”.

Sipas njoftimit të Komunës, ky projekt kishte tejkaluar lejen ndërtimore, duke ndërtuar edhe në aksin ku parashihet ndërtimi i rrugës publike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Fillimisht, inspektorët komunalë kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalte punimet, duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese. Megjithëkëtë mundësi, punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme, gjë për të cilën edhe është gjobitur tri herë nga Inspektorati.

Pas njoftimit të 24.08.2018 për ekzekutimin e vendimit, si masë e fundit ka nisur aksioni i rrënimit”, thuhet në komunikatën e Komunës. Më tej aty është theksuar se gjatë realizimit të ekzekutimit të vendimit pronari është zotuar edhe me shkrim se vullnetarisht do ta rrënojë pjesën, e cila nuk i është reviduar me lejen ndërtimore, “për çka edhe Drejtoria e Inspektorateve i ka dhënë afat që këtë deklarim ta realizojë brenda 30- ditësh”.

“Objekti në fjalë edhe më tej do të jetë nën inspektim të vazhdueshëm, derisa vendimi të respektohet në tërësi”, shkruan në njoftimin e Komunës së Prizrenit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)