Arbëri

Lëvizet drejt zgjidhjes së problemit me ujë të pijes për qytetarët e Fushë Kosovës

Janë vënë në lëvizje dikasteret e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur problemin me ujë të pijes në Komunën e Fushë Kosovës, që për një gyp të gjatë vetëm katër kilometra dhe në vlerë prej 400 mijë eurosh, i cili do të lidhej me fabrikën e ujit në Shkabaj, për vite të tëra i kishte mbetur ndër problemet kryesore për banorët.

Peng ishin dy nënshkrime të ministrave, atij të Zhvillimit Ekonomik dhe atij të Financave dhe për këtë kishte raportuar KTV-ja më 13 korrik të këtij viti.

Të shtunën, Ministria e Financave, ka thënë se shumë shpejt qytetarët e komunës së Fushë Kosovës do të kenë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Meritat për këtë ia ka lënë ministrit Bedri Hamza, që ka arritur pajtueshmërinë ndërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe KRU ”Prishtina” sh.a, përmes propozimeve konkrete për të amandamentuar marrëveshjen e projektit nga Faza e III e projektit për ndërtimin e Fabrikës për ujë të pijshëm në Shkabaj, në mënyrë që mjetet e mbetura në projekt të përdoren për furnizimin me ujë për qytetarët e komunës së Fushë Kosovës dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të furnizimit me ujë për qytetarët e komunës së Prishtinës.

“Ministri Hamza pas një angazhimi të madh ka mundësuar zgjidhjen e këtij problemi shumë vjeçar dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të kësaj Ministrie.

Menjëherë pas raportimit të KTV-së, po atë ditë në Interaktiv, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kishte thënë se do të angazhohet seriozisht që problemi me ujë të pijes për Fushë Kosovën të zgjidhet.

“Unë kam qenë para tri javësh në Fushë Kosovë. Në ndërkohë më është dashur të merrem me disa punë të tjera. Por e kam premtuar një gjë të tillë dhe vet kam thënë se është e pajustifikueshme që për një investim të tillë, Fushë Kosova të mbetet pa ujë. Nuk ka asgjë tjetër këtu dhe nuk ka vend për panik. E marr përsipër që nga e hëna të merrem me këtë çështje”, ka thënë ai.

KTV-ja kishte raportuar se është në dorën e ministrave Lluka dhe Hamza, zgjidhja e kësaj çështjeje. Ata e kishin vizituar bashkë këtë komunë, e patën premtuar se shtatori nuk do t’i gjente me këtë problem.

Zyrtarët komunalë kishin hedhur kritika të shumta se kjo punë po zvarritet kot. Komuna kishte nisur disa shkresa në institucionet gjegjëse për të kërkuar leje që me vetëfinancim të nisin punimet. Madje kishte kërcënuar se nuk do të presin edhe gjatë për të vepruar edhe pa lejen e nivelit qendror. Derisa banorët thoshin se janë ata që po pësojnë më së shumti nga e gjithë kjo situatë.