Arbëri

Bellanica e Malishevës pret nga komuna realizimin e disa projekteve infrastruturore

Descriptive Text

Malishevë, 17 gusht – Zyrtarë të Komunës së Malishevës kanë zhvilluar një takim me banorët e fshatit Bellanicë, në kuadër të diskutimeve rreth planeve zhvillimore për vitin e ardhshëm.

Në këtë takim me banorët e fshatit Bellanicë morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, të cilët kanë prezantuar para banorëve të këtij fshati, buxhetin për vitin 2019, në veçanti pjesën e investimeve kapitale.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka prezantuar buxhetin për vitin 2019 dhe ka bërë të ditur se për investime kapitale Malisheva do të ketë një buxhet prej 4.3 milionë euro, ndërsa lista e investimeve do të përpilohet gjithmonë duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Banorët e fshatit Bellanicë kërkuan që të vazhdohet me investime në rregullimin e infrastrukturës, si rrugët, meremetime në kanalizimin e fshatit, trotuar e ndriçim, si dhe mirëmbajtjen e ujësjellësit. Pas këtyre, ata kërkuan që të investohet edhe në fushën e bujqësisë, si dhe shenjëzimi apo sinjalizimi i rrugëve.