Arbëri

Apeli vendos kundër Komunës së Mitrovicës për banesat e funksionarëve

Agim Bahtiri nuk po mund t’ia arrijë qëllimit. Vendimi i marrë nga ai për t’i liruar këto 13 banesa, të cilat iu ishin dhënë për shfrytëzim ish-funksionarëve të Mitrovicës, Komuna nuk po mund ta realizojë.

Kjo ngase, pas ankesës së bërë nga avokati i shfrytëzuesve të banesave, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vendosur masën e përkohshme të sigurisë, duke pamundësuar ekzekutimin e këtij vendimi, raporton KTV.

Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës së Jugut, thotë se e mori vendimin për t’i strehuar familjet me asistencë sociale dhe që jetojnë akoma në baraka.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës, Komuna e Mitrovicës së Jugut, e udhëhequr nga Bahtiri, ishte ankuar në Gjykatën e Apelit.

Por, Gjykata e Apelit ka refuzuar edhe këtë ankesë të Komunës, duke e lënë në fuqi masën e përkohshme të sigurisë.

Ndër shfrytëzuesit e këtyre banesave që iu ndanë në vitin 2006 nga qeverisja komunale e udhëhequr nga LDK-ja, janë kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Xhevat Veseli, Zymer Halimi dhe 10 persona të tjerë, që të gjithë nga Mitrovica.