Arbëri

Banorët e Shalës së Lipjanit tash e dhjetë vjet pa ujë të pijshëm, Ujësjellësi thotë se ata u shkëputën vetë

Shala, ndonëse një fshat mjaft i madh për nga numri i banorëve, ka mungesë të ujit të pijshëm.

Në këtë fshat ekzistojnë gypat e ujësjellësit, investim ky nga donatorë të huaj. Por, sipas zyrtarëve komunalë, vite më parë banorët me vetë-dëshirë dhe në mënyrë ilegale kishin vendosur që të shkëputen nga rrjeti për t’u lidhur me një burim tjetër të ujit.

Tash kur prona nga e cila kalon ky burimi i dytë u privatizua, banorët ankohen se kanë mbetur pa ujë të pijshëm, raporton KTV.

Edhe pse në çezmat e tyre ka ujë, ai është i turbullt dhe nuk mund të shfrytëzohet pothuajse për asgjë.

Shumë prej shtëpive kanë hapur puse për të bërë zgjidhje.

Ndërkaq, zyrtarë në ujësjellësin e Lipjanit thonë se banorët pas disa vitesh po kërkojnë që të rikthehen në rrjetin e ujësjellësit.

Në zyrën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie tashmë është adresuar kërkesa për rilidhje.

Drejtori i ujësjellësit në Lipjan ka thënë se janë duke diskutuar për mundësitë se çfarë mund të bëjnë me këtë kërkesë.

Donatorët e huaj kishin investuar një milion euro për ta rregulluar rrjetin e ujësjellësit të këtij fshati.