“Mitrovica e re” thellon përplasjen e Veselit me Bahtirin

“Mitrovica e re” thellon përplasjen e Veselit me Bahtirin

12 gusht 2018 21:09

Projekti i propozuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli për zhvillimin e Mitrovicës, do të dal si propozim në seancën e parë të Asamblesë komunale. Këtë e kanë konfirmuar përfaqësuesit e partisë së Veselit në Kuvendin e Mitrovicës. Ata thonë projekti për “Mitrovicën e Re” është harruar nga PDK dhe parashikon zhvillimin e qytetit sipas standardeve bashkëkohore, raporton televizioni publik.

Raportimin e djeshëm të RTK-së, lidhur me një projekt të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit për Mitrovicën, sot e ka konfirmuar shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Mitrovicës, Donjet Bislimi.

Sipas tij, ky projekt është ide e Veselit që në fund të muajit do të propozohet në mbledhjen e asamblesë komunale.

Bislimi thotë se projekti në fjalë ka muaj që po punohet në të dhe nuk ka për që qëllim tensionim të raporteve mes Serbisë e Kosovë lidhur me veriun. Bislimi është shprehur optimist se të gjitha subjektet politike në Mitrovicë, pozitë e opozitë, do ta përkrahin këtë ide të Veselit, në mënyrë që ky projekt të jetësohet në të dy anët e lumit Ibër.

Nga ana tjetër, ka reaguar kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, i cili thotë se Kadri Veseli fillimisht duhet ta publikojë planin se si e ka ndarë Mitrovicën.

Në një prononcim për Veriu.info, Bahtiri thotë se Kadri Veseli ia ka vjedhur projektin me qëllim që të fitojë poena politikë.

“Unë projektin për zhvillimin e Mitrovicës përgjatë dy anëve të lumit Ibër e kam nisur qysh në mandatin e kaluar dhe i cili po jetësohet për çdo ditë. Të dy pjesët e lumit Ibër, veri dhe jug, janë shndërruar në aktraksion turistik, por investimet nuk kanë mbetur vetëm aty, pasi që ato po kryhet edhe në pjesët e tjera të qytetit”, ka thënë Bahtiri.

I pari i Mitrovicës i bën thirrje Kadri Veselit që mos ta përdorë çështjen e Mitrovicës për poenë politikë, por të fokusohet në punën e tij si kryetar i Kuvendit, institucion për të cilin thotë se është shndërruar në objekt ‘cirku’ prej se e drejton kryetari i PDK-së.

“Kadri Veseli së pari e ka për obligim ta publikojë projektin se si e ka ndarë Mitrovicën, sepse për zhvillim dhe bashkim të qytetit tash flas unë, për shkak se qytetarët ma kanë besuar detyrën e kryetarit të komunës. Duke e parë se për çdo ditë partia e tij po fundoset, ai po dëshiron që sa më shpejt ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, për çka edhe po bën veprime të tilla të kota”, ka thënë Bahtiri për Veriu.info.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme