Arbëri

Banorët do të bllokojnë rrugën që Komuna po do vetëm ta riasfaltojë e jo ta zgjerojë siç premtoi

Janë bërë gati tre muaj prej kur rruga në fshatin Sllatinë e Epërme të Vitisë është gërryer, por ka mbetur e paasfaltuar.

Banorët e këtij fshati nuk po pranojnë që rruga vetëm të riasfaltohet, pa u zgjeruar e që sipas tyre, ky ka qenë edhe premtimi i komunës, raporton KTV.

Banorët kërkojnë që rruga të jetë e gjerë së paku 6 metra, meqë aty ka lëvizje të mëdha të automjeteve dhe është rrugë që lidh jo vetëm komuna të Kosovës, por është urë lidhëse me Maqedoninë.

Elbasan Ahmeti, banor i këtij fshati, ka thënë se në mandatin e kaluar, për këtë rrugë ishin ndarë 500 mijë euro nga Ministria.

Ai ka paralajmëruar protesta e bllokim të rrugës, nëse komuna do të tentojë të realizojë projektin pa marrë parasysh kërkesat e banorëve.

Imeri, që është edhe kryetar i fshatit, është shfaqur pesimist se diçka do të ndryshojë, por ka thënë se do të përdorin të gjitha format demokratike për të realizuar kërkesat e tyre.

Sipas banorëve, për shkak të rrugës së ngushtë, në këtë pjesë çdo ditë bëhen kolona të gjata, sidomos tash në kohë vere.

Por, përveç rrugës, një tjetër shqetësim e kanë banorët e Sllatinës.

Në lumin e këtij fshati po derdhen ujërat e zeza nga katër fshatra të komunës së Ferizajt.

Banorët e Sllatinës, që ka 3 mijë banorë e diku rreth 500 shtëpi, kanë thënë se investimet e komunës në këtë fshat janë minimale, derisa kanë treguar për investimet që kanë bërë me mjete vetanake.

Ata, me ndihmën e diasporës, kanë vendosur ndriçimin, derisa kanë hequr edhe 5 deponi mbeturinash.

KTV-ja ka pyetur komunën për rrugën dhe kërkesat e banorëve, por ata nuk i janë përgjigjur televizionit.