Arbëri

Edhe Istogu i bën publike kontratat me operatorët ekonomikë

Pas Komunës së Pejës dhe Gjakovës, Komuna e Istogut bëhet komuna e tretë në Dukagjin, e cila për herë të parë hap në tërësi kontratat e nënshkruara me operatorët ekonomikë, duke i publikuar ato në ueb faqen e saj zyrtare.

“Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, me qëllim të rritjes së transparencës dhe mundësisë së qytetarëve për të qenë sa më të informuar lidhur me rrjedhën e shpenzimeve të parasë publike në Komunën e Istogut, ka sjellë vendim që t’i bëjë publike të gjitha kontratat që lidhen me operatorët ekonomikë”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Publikimi i të gjitha kontratave me operatorët ekonomikë, sipas njoftimit të kësaj komune, do të nisë nga dita e hënë. Publikimi i kontratave, siç thotë Hazbi Bajra, shef i kabinetit të kryetarit të Istogut, është rezultat i bashkëpunimit me projektin e USAID për Komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse, me qëllim të rritjes së transparencës dhe mundësisë së qytetarëve të Komunës për të qenë të informuar në lidhje me shpenzimet e Komunës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)