Arbëri

Qëndrueshmëria e asfaltit në Kosovë – më pak se një vit

Ende pa u bërë një vit nga ndërtimi i kësaj rruge katër kilometërshe në Lubishtë të Vitisë, në disa vende ajo tashmë është prishur.

Banorët ankohen se cilësia e dobët e asfaltit, me të cilën është shtruar kjo rrugë dhe pa u plotësuar asnjë kriter, ka bërë që të ketë prishje të tilla, raporton KTV.

Ata thonë se edhe gjatë intervenimit të dytë, që është bërë në disa pjesë, cilësia e asfaltit është sërish e dobët.

Vërejtja më e madhe e tyre është se kompania ndërtuese, siç thonë ata, e ka kryer punën vetëm sa për të mbuluar gropat, ndërsa asfaltin e ka hedhur direkt në baltë, pa i shtruar një bazë të nevojshme.

Veç kësaj, ata kanë thënë se në disa vende ku ka pasur nevojë nuk është intervenuar fare.

Derisa kërkojnë nga autoritetet komunale që sa më shpejt ta bëjnë rregullimin e këtij asfalti.

Ndërkaq, kryetari i komunës, Sokol Haliti, i kontaktuar nga KTV-ja, nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me këtë çështje, vetëm ka thënë se është i zënë me punë.

Por vetë banorët thonë se komuna disa herë ka drejtuar ankesa në kompaninë ndërtuese “Bageri” por rruga ka mbetur në gjendje të njëjtë.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me pronarë të kësaj kompanie por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve të televizionit.