Arbëri

Gjashtë familje në Gadime ankohen se Komuna nuk po ua ndërton shtëpitë për arsye politike

Familja tetë anëtarëshe e Burhan Limanit nga komuniteti ashkali jeton në Gadime të Lipjanit nën kulmin e një shtëpie të vjetër 150 vjet, e cila është para rrënimit.

Ai tash e një vit ka hyrë në listën e pritjes së përfituesve për ndërtimin e shtëpisë së re, raporton KTV.

Por, memorandumi i lidhur mes Ministrisë së Punës dhe shumë komunave të tjera, nga i cili ka përfituar ky kryefamiljar, nuk është nënshkruar ende vetëm nga komuna e Lipjanit.

Për këtë, Burhani ka mbetur pa shtëpi, për çka kërkoi nga Komuna që sa ma shpejt t’i bëhet një zgjidhje atij.

Nga e njëjta lagje në listën e pritjes për shtëpi të reja janë edhe pesë familje të tjera.

Përfaqësuesi i tyre e akuzon nënkryetarin e komunës për komunitete, Lulëzim Qeriqi, se për shkaqe politike nuk po e nënshkruan marrëveshjen.

Por, krejt këto pretendime i quajnë të pavërteta drejtuesit e kësaj komune.

Kryetari i komunës tregon arsyen e mosnënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Ish-deputeti nga radhët e komuniteteve, Albert Kinolli, kishte kërkuar nga Ministria e Punës financimin e këtij projekti, i cili do të ndihmonte me shtëpi shumë familje në kushte të vështira të komuniteteve pakicë.