Arbëri

Ismaili: Brenda tre vjetësh, Ferizaj do të ketë spitalin më modern në vend

Descriptive Text

Në Ferizaj, sot është vendosur gurthemeli i spitalit të këtij qyteti, projekt i Ministrisë së Shëndetësisë në vlerë prej 10 milionë eurosh.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Spitali i ri do të jetë bashkëkohor dhe do të përmbushë nevojat e rreth 250 mijë qytetarëve për shërbime mjekësore sekondare: 100 mijë banorëve të Ferizajt dhe rreth 150 mijë qytetarwve të qyteteve përreth, Shtimes, Kaçanikut, Vitisë e Shtërpcës.

Ismaili, më 25 janar të këtij viti, kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt, i cili sot nisi të bëhet realitet.

Qëllimi i këtij projekti është krijimi i hapësirave dhe sipërfaqeve të nevojshme për të krijuar kushte për punë dhe për të ofruar shërbime më cilësore për pacientët.

Investitor i këtij projekti 10 milionë euro është Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.

Ismaili tha se në më pak se tre vjet Ferizaj do të ketë një nga spitalet më moderne në vend.

“Ka qenë e pakuptueshme se si një qytet me një histori të lavdishme, në veçanti në aspektin mjekwsor gjatë luftës, si Ferizaj, nuk ka pasur një spital të vetin. Tani, një padrejtësi po rregullohet dhe Ferizaj do të ketë një nga spitalet më moderne, me pajisje moderne, dhe i cili do të përmbush të gjitha kërkesat e qytetarëve të Ferizajat me rrethinë për trajtime shëndetësore”, tha Ismaili.

Ismaili ka treguar se ky projekt edhe pse është i paraparë që të përfundoj për tre vjet, do të angazhohet që të përfundoj edhe më herët, dhe për këtë e ka përkrahjen e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tha se me ndërtimin e këtij spitali, Ferizajit po i kthehet një borxh për të kaluarën historike.

“Uroj të gjithë qytetarët e Ferizajt dhe mantelbardhët e këtij qyteti për nisjen e spitalit të ri. Në këtë qytet ka qenë qendra më e madhe mjekësore ushtarake, prandaj me ndërtimin e këtij spitali, po u kthejmë një borxh këtij qyteti”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kurse, kryeministri Haradinaj tha se kjo është festë për tërë Kosovën.

“Sot na ka bashkuar një festë të cilën nuk do ta gëzojnë vetëm qytetarët e Ferizajt, por të të gjithë Kosovës. E përgëzoj ministrin Uran Ismaili që ka përfunduar të gjitha punët e tij në mënyrë efikase në mënyrë që ky projekt të shkoj përpara”, tha kryeministri Haradinaj.

Vendosjen e gurthemelit e bën Kadri Islami, babai i dëshmorit Driton Islami, Gentian Mehmeti, student i mjekësisë, Lulejta Cakolli, një nga pacientet e para të Spitalit të Ferizajt pas luftës, Jeton Zeqiri, doktor dhe drejtori i porsa emëruar i spitalit të qytetit Jeton Zeqiri dhe Gazmend Bytyqi, veteran i UÇK-së.

Ndërtimi i Spitalit të Ferizajt do të përfundojë pas 600 ditë pune (rreth 3 vjet).

Lokacioni ku do të ndërtohet spitalit i ri i Ferizajt, ka një hapësirë prej 2.7 hektarë, kurse objekti do të ketë 22 mijë metra katrorë.

Projektimi i spitalit është me shtatë kate, brenda të cilëve do të ketë 220 shtretër dhe të gjitha hapësirat tjera të nevojshme për punë dhe shërbime mjekësore.

Spitali i Ferizajt do të nisë punën me pajisje të reja dhe bashkëkohore, infrastrukturë që do të krijojë kushte për punë dhe shërbime cilësore për pacientë.