Arbëri

Objekti i vjetër 45 vjet s’ofron kushte për mësim, në Fortesë kërkohet shkollë e re

Në objektin e shkollës fillore "Liria" të fshatit Fortesë në Rahovec, mësojnë mbi 200 nxënës.

Por, jeta e tyre është në rrezik pasi objekti është shkatërruar për shkak të vjetërisë por edhe reshjeve te shiut, të cilat mbi dhjetë herë e kanë vërshuar objektin, raporton KTV.

Për pasojë, janë dëmtuar muret e jashtme, është shkatërruar dyshemeja e brendshme, ndërsa klasat janë në gjendje shumë të keqe.

Gjatë gjithë procesit mësimor, nxënësit e shkollës "Liria" ndër të tjera ballafaqohen edhe me ajër të ndotur, ndërsa lagështia është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Drejtori i shkollës thotë se edhe prindërit shpeshherë janë ankuar për objektin e vjetër.

Drejtori i Arsimit i komunës së Rahovecit thotë se presin që në rishikimin e buxhetit ta fusin ndërtimin e objektit të ri të shkollës.

Meqë komuna thotë se nuk ka buxhet për të ndërtuar vet një shkollë të re, kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Arsimit.

Sipas zyrtarëve komunalë, objektit të ri duhet t'i vendoset një bazë e fortë, pasi për shkak të pozicionit të ulët, shiu mund ta vërshojë atë.