Arbëri

Gora refuzon “Ekoregjionin”, mbeturinat hidhen vend e pavend

Qytetarët e komunitetit goran të komunës së Dragashit vazhdojnë të mos i përfillin institucionet e Kosovës.

Më shumë se dy vjet, kompania regjionale “Ekoregjioni” ka mbledhur mbeturina me humbje në fshatrat e Gores.

Kjo për shkak se banorët atje nuk i kanë paguar faturat si dhe nuk kanë dashur kurrfarë shërbimi nga kompanitë kosovare, raporton KTV.

Si rrjedhojë, mbeturinat vazhdojnë t’i hedhin vend e pa vend.

Vetëm fshati Restelicë ia ka më shumë se 50 mijë euro borxh kësaj kompani, andaj thonë se janë detyruar që t’ia ndërpresin shërbimet kësaj pjese, për shkak se gjithmonë kanë refuzuar të bashkëpunojnë.

Por, banorët, prapa kamerave, pohojnë se nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet kosovare, prandaj edhe nuk i kanë paguar faturat.

E ka të tjerë që thonë se inkasimi i faturave është dashur të bëhet për kokë banori e jo për shtëpi.

“Ne jetojmë këtu në fshatin Restelicë dhe shumica jemi goranë. Në mërgim ka shumë vendas tanë por edhe këtu ka shumë banorë. Sa iu përket mbeturinave, njerëzit vërtet nuk paguajnë, rrallëkush e pak”, thotë një banor.

“Duhet pastruar këto deponi që të mos kemi grumbullim të tyre sepse edhe njerëzit po largohen pastaj. Dikur disa njerëz paguanin por tash pakkush paguan. Sidoqoftë, ne duam që ambienti të jetë i pastër. Kushdo që i heq mbeturinat do të ishte mirë, vetëm le të jetë punë me nder. Secili tashmë ka borxh”, thotë një tjetër.

“Kishim dikur një kompani që e pastronte fshatin tonë dhe deponitë që ekzistonin. Kompanitë punuan për disa vjet, por mbeturinat liheshin diku poshtë fshatit. Më shumë se 60 përqind e banorëve ishin në listën e pagesave e tani duhet përgjegjësi më të madhe që të gjithë të angazhohemi për këtë por edhe inspeksioni sepse këtë problem na duhet gjithsesi ta zgjidhim”.

Edhe kryetari i Komunës së Dragashit thotë se kanë bërë përpjekje shumë herë që t’i bindin banorët e pjesës së Gores të kyçen në sistemin e grumbullimit të mbeturinave por pa sukses.

Në kompaninë regjionale “Ekoregjioni” thonë se vetëm në këto 9 fshatra kanë hasur gjithmonë probleme.